Historiku

Gjimnazi u themelua në vitin shkollor 1962-1963, pasi u shkëput nga shkolla 11 vjeçare ‘’10 Korriku’’.

Shumë vite më vonë pikërisht kur Shqipëria po kalonte momente të vështira në vitin 1997,  Z.Edi Pinguli dhe skulptori i popullit Z.Kristaq Rama i dhuruan gjimnazit bustin e rilindasit Sami Frashëri.

Në vitet e para funksionoi si shkollë 11 vjecare me 800 nxënës dhe me një numër të vogël mësuesish. Më vonë kaloi si shkollë e mesme e përgjithshme. Nga viti në vit në shkollë rritej jo vetëm numri i mësuesve por dhe numri i nxënësve.

Nxënës të shkollës kanë marrë pjesë në olimpiadat kombëtare, ku kanë fituar çmime të para, të dyta e të treta në matematikë, fizikë e kimi dhe kanë përfaqësuar vendin në olimpadat ballkanike ku janë nderuar me Çmime të ndryshme.

Nxënës të shkollës kanë konkurruar me dinjitet për të fituar vende në kolegjet e Europës së Bashkuar. Në aktivitetin  e zhvilluar në shkallë kombëtare ‘’Gjyqi i improvizuar’’, shkolla fitoi vendin e parë dhe të dytë. Nxënësit fitues shkuan për një javë në SH.B.A.

Në shkollë funksionon dhe ‘’Klubi i karrierës’’, i cili shërben për të ndihmuar nxënësit që të zgjedhin drejtimin e tyre në jetë sipas aftësive.

Solidarizmi me ata që janë në fatkeqësi po bëhet moto e nxënësve tanë. Kështu në vitin 1999 kur ndaj shqiptarëve të Kosovës po ushtrohej një genocid i paparë, nxënësit tanë ndihmuan moralisht dhe materialisht vëllezërit e tyre.

 Në ditën e tolerancës zhvillohen aktivitete të ndryshme ku nxënësit mendojnë edhe për ata që nuk kanë mjete të mjaftueshme jetese, për fëmijët e braktisur, Për këtë gjë ka një bashkËpunim me ‘’Kryqin e Kuq’’. Veprimtaritë edukative nga viti në vit po bëhen gjithnjë e më të larmishme. Për tri vite rrjesht me nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës është zhvilluar ‘’RINFEST’’ dhe ‘’Letrari i Ri’’, ku shumë nxënës kanë botuar vëllime me krijmtaritë e tyre.

Përvec ekipeve tradicionale në sport, që drejtohen me kompetencë nga mësuesit e Edukimit Fizik, në shkollë funksionon dhe grupi i aerobisë i cili në çdo aktivitet është nderuar me çmime.

Në trupën mësimore ka mësues që janë autorë dhe bashkëautor tekstesh. Nga bangat e shkollës sonë kanë dalë njerëz të shquar në politikë e art, shkencë, arsim dhe sport, ekonomist e biznesmenë që kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë në kujtesën e popullit tonë.

Vlen për t’u përmendur që gjimnazi i’u përulet me nderim emrave të drejtuesve të tij ndër vite për kontributin e tyre të vyer në përparimin dhe zhvillimin e gjimnazit tonë.